Përmbytje të reja e kanë goditur rajonin verilindor të Spanjës, Girona, duke marrë me vete rreth 30 vetura në qytezën Cadaques, sipas raportimeve të mediave spanjolle.
Në video të publikuara në rrjete sociale nga një gazetar lokal shihej një rrymë uji duke u lëshuar poshtë një rruge dhe një grumbull veturash që kishin bllokuar një urë të premten herët, raporton televizioni BBC.
Nuk u raportua për viktima në valën e re të përmbytjeve që e goditën shtetin e Evropës jugperëndimore.
Më shumë se 200 njerëz e humbën jetën javën e kaluar, shumica në rajonin e Valencias, në njërën nga vërshimet më të rënda në Evropë këtë shekull.
Fatkeqësia shkaktoi zemërim të madh ndaj autoriteteve për shkak të moslëshimit të alarmeve për urgjencë më herët.
Vërshimet në Cadaques në orët e hershme të së premtes e shkaktuan grumbullimin e rreth 30 automjeteve nën një urë, tha në rrjetin X shërbimi i zjarrfikësve në Katalonjë, por asnjë person nuk u lëndua ose nuk mbeti i ngujuar.
Mot potencialisht i rrezikshëm në rajon pritet edhe të premten në mbrëmje.
Shërbimi meteorologjik i Katalonjës lëshoi një paralajmërim për reshje shiu nga mbrëmja e së premtes deri të shtunën pasdite për zonën Alt Emporda, ku ndodhet edhe qyteza Cadaques. Agjencia e motit paralajmëroi se niveli i reshjeve mund të shkojë në 20 milimetra për 30 minuta.