Sunday, April 20, 2025

Ushtruesit e detyrës: “Mësa di, nuk e di”, Çeku bëhet se s’di gjë dhe gënjen për Ligjin për Zyrtarët Publikë

- Advertisement -
- Advertisement -

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, nuk di se sa është afati ligjor për mbajtjen e një pozite me ushtrues të detyrës, teksa i ka mbrojtur pozitat që janë me ushtrues detyre. Kësisoj, ministrit Çeku duhet t’i tregojmë që me shkelje të ligjit e ka emëruar dhe e ka mbajtur ushtrues detyre të sekretarit të Përgjithshëm, Xheladin Krasniqin. Ai gjithashtu i shpërfaqi ndoshta qëllimisht mosnjohuritë e tij për ligjin.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ishte i ftuar mbrëmë në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës. Çeku aty gënjeu publikisht për Ligjin për Zyrtarët Publikë, duke u thirrur në këtë ligj për ushtruesit e detyrës.

Më poshtë janë disa pjesë nga debati për ushtruesit e detyrës:

Çeku: Ku është problemi me qëndru me U.D.?

Paçarizi: Afatet ligjore, bre ministër, gjashtë muaj mund të operohet me ushtrues detyre.

Çeku: Jo, jo, e kemi ligjin e ri, e kemi ligjin e ri, Rrahman.

Paçarizi: Tash për tash jeni në shkelje të ligjit, nëse e ka tejkaluar afatin prej gjashtë muajsh.

 

Në këtë rast, Çeku gënjeu, sepse Ligji për Zyrtarët Publikë, me të cilin u zgjatet edhe afati ushtrueseve të detyrës, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk është i plotfuqishëm deri në publikimin në gazetën zyrtare.

Video nga minutazha: 1:01:30

Nga kjo kuptohet se mbajtja e pozitave të larta me ushtrues detyre për më shumë se një vit është shkelje ligjore.

Më tej, ai u pyet se a është në rregull që institucionet të mbahen me ushtrues detyre, e që Çeku tha se është në rregull, teksa e vuri në pah mosnjohurinë e tij për afatet ligjore për ushtruesit e detyrës.

Për mua është shumë në rregull dhe jam shumë komod me dalë para juve dhe qytetarëve me të dhëna konkrete me dëshmu punën. Pse nuk është ligjore, cilin ligj e kemi shkelë?

Nuk e di sa është afati… unë nuk besoj që kemi shkelë ndonjë ligj, se të kish pasë diçka të tillë, dikush e kish ngritë, dikush ish marrë me ata punë” – ka thënë ai në “Rubikon”.

Ai më tej tha se “ekzistojnë monitoruesit e media dhe ne besoj e kishim ngritë këtë çështje”, por kjo është e pavërtetë, sepse gazeta “Nacionale” ka raportuar në vazhdimësi për ushtruesin e detyrës së sekretarit të Përgjithshëm në MKRS, por s’është ndërmarrë asnjë masë.

“Nacionale” ka raportuar se qysh ministri Hajrulla Çeku e ka emëruar në mënyrë të jashtëligjshme ushtrues të detyrës së sekretarit të Përgjithshëm të MKRS-së Xheladin Krasniqin.

Përveç emërimit, Çeku edhe e ka mbajtur në mënyrë të jashtëligjshme Krasniqin në këtë pozitë.

Bile “Nacionale” kishte raportuar se Bislimi ishte zgjedhur me vendim të Qeverisë Kurti në pozitën e sekretarit të MKRS-së, mirëpo ministri Hajrulla Çeku e kishte transferuar atë në një pozitë tjetër në ditën e parë të tij të punës.

Ky transferim u bë vetëm për ta mbajtur në këtë pozitë njëriun e preferuar të tij, Xheladin Krasniqin, në mënyrë të jashtëligjshme.

Pra, Çeku duhet të kujtohet se, pavarësisht që kishte mundësi të mos e mbante me ushtrues detyre pozitën e sekretarit të Përgjithshëm, ai nuk e bëri këtë.

Vendimin për largimin në heshtje të Xheladin Krasniqit e mori, vetëm pasi Krasniqi dyshohet se sulmoi fizikisht një zyrtar të MKRS-së.

Lexojeni KËTU raportimin për shklejet ligjore të ministrit Çeku.

Kujtojmë se Ligji për Zyrtarët Publikë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për shkak të zgjatjes së afatave për mbajtjen e pozitave me ushtrues detyre.

Mbajtja e pozitave të larta me ushtrues detyre ishte kritikuar edhe nga Raporti i Progresit.

- Advertisement -
Lajmi i fundit
- Advertisement -
Related news
- Advertisement -