Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, nuk di se sa është afati ligjor për mbajtjen e një pozite me ushtrues të detyrës, teksa i ka mbrojtur pozitat që janë me ushtrues detyre. Kësisoj, ministrit Çeku duhet t’i tregojmë që me shkelje të ligjit e ka emëruar dhe e ka mbajtur ushtrues detyre të sekretarit të Përgjithshëm, Xheladin Krasniqin. Ai gjithashtu i shpërfaqi ndoshta qëllimisht mosnjohuritë e tij për ligjin.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ishte i ftuar mbrëmë në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës. Çeku aty gënjeu publikisht për Ligjin për Zyrtarët Publikë, duke u thirrur në këtë ligj për ushtruesit e detyrës.
Më poshtë janë disa pjesë nga debati për ushtruesit e detyrës:
Çeku: Ku është problemi me qëndru me U.D.?
Paçarizi: Afatet ligjore, bre ministër, gjashtë muaj mund të operohet me ushtrues detyre.
Çeku: Jo, jo, e kemi ligjin e ri, e kemi ligjin e ri, Rrahman.
Paçarizi: Tash për tash jeni në shkelje të ligjit, nëse e ka tejkaluar afatin prej gjashtë muajsh.
Në këtë rast, Çeku gënjeu, sepse Ligji për Zyrtarët Publikë, me të cilin u zgjatet edhe afati ushtrueseve të detyrës, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk është i plotfuqishëm deri në publikimin në gazetën zyrtare.
Video nga minutazha: 1:01:30
Nga kjo kuptohet se mbajtja e pozitave të larta me ushtrues detyre për më shumë se një vit është shkelje ligjore.
Më tej, ai u pyet se a është në rregull që institucionet të mbahen me ushtrues detyre, e që Çeku tha se është në rregull, teksa e vuri në pah mosnjohurinë e tij për afatet ligjore për ushtruesit e detyrës.
“Për mua është shumë në rregull dhe jam shumë komod me dalë para juve dhe qytetarëve me të dhëna konkrete me dëshmu punën. Pse nuk është ligjore, cilin ligj e kemi shkelë?”
“Nuk e di sa është afati… unë nuk besoj që kemi shkelë ndonjë ligj, se të kish pasë diçka të tillë, dikush e kish ngritë, dikush ish marrë me ata punë” – ka thënë ai në “Rubikon”.
Ai më tej tha se “ekzistojnë monitoruesit e media dhe ne besoj e kishim ngritë këtë çështje”, por kjo është e pavërtetë, sepse gazeta “Nacionale” ka raportuar në vazhdimësi për ushtruesin e detyrës së sekretarit të Përgjithshëm në MKRS, por s’është ndërmarrë asnjë masë.
“Nacionale” ka raportuar se qysh ministri Hajrulla Çeku e ka emëruar në mënyrë të jashtëligjshme ushtrues të detyrës së sekretarit të Përgjithshëm të MKRS-së Xheladin Krasniqin.
Përveç emërimit, Çeku edhe e ka mbajtur në mënyrë të jashtëligjshme Krasniqin në këtë pozitë.
Bile “Nacionale” kishte raportuar se Bislimi ishte zgjedhur me vendim të Qeverisë Kurti në pozitën e sekretarit të MKRS-së, mirëpo ministri Hajrulla Çeku e kishte transferuar atë në një pozitë tjetër në ditën e parë të tij të punës.
Ky transferim u bë vetëm për ta mbajtur në këtë pozitë njëriun e preferuar të tij, Xheladin Krasniqin, në mënyrë të jashtëligjshme.
Pra, Çeku duhet të kujtohet se, pavarësisht që kishte mundësi të mos e mbante me ushtrues detyre pozitën e sekretarit të Përgjithshëm, ai nuk e bëri këtë.
Vendimin për largimin në heshtje të Xheladin Krasniqit e mori, vetëm pasi Krasniqi dyshohet se sulmoi fizikisht një zyrtar të MKRS-së.
Lexojeni KËTU raportimin për shklejet ligjore të ministrit Çeku.
Kujtojmë se Ligji për Zyrtarët Publikë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për shkak të zgjatjes së afatave për mbajtjen e pozitave me ushtrues detyre.
Mbajtja e pozitave të larta me ushtrues detyre ishte kritikuar edhe nga Raporti i Progresit.