Sunday, April 20, 2025

BLLACA ’99 – Dëbimet e Mëdha

- Advertisement -
- Advertisement -

Dëbimet e Mëdha 1877/1878

 

-Në luftën ruso-osmane, Serbia dhe Mali i Zi menjëherë u rreshtuan në anën e Rusisë me qëllim që të realizonin aspiratat ekspansioniste në drejtim të trojeve etnike shqiptare. Luftimet serbo-osmane u zhvilluan kryesisht në trevat shqiptare të Sanxhakut të Nishit që i takonin Vilajetit të Kosovës. Pas humbjeve të njëpasnjëshme dhe me tërheqjen e ushtrisë osmane nga këto troje, Serbia para syve të fuqive të mëdha dhe me bekimin e tyre kryente spastrimin etnik. Si rezultat i dhunës, terrorit, masakrave dhe gjenocidit të ushtrisë serbe ndaj popullit autokton shqiptar me qindra e mijëra shqiptar u detyruan t’i braktisnin vatrat e tyre duke u vendosurë si refugjat (muhaxhirë) në brendi të Vilajetit të Kosovës, Turqi dhe me gjerë. Në këtë kohë para tytave të soldateskes serbo-malazeze u dëbuan rreth 160 mijë shqiptar. Kështu u spastruan etnikisht 640 vendbanime shqiptare të rrethit të Nishit, të Prokuples, Leskocit, Vranjës, Kurshumlisë etj. Me këto akte anticivilizuese dhe antishqiptare Serbia dhe Mali i Zi ngushtuan edhe më hapësirën kombëtare shqiptare duke krijuar kështu parakushte për rrezikim të mëtejshëm të trojeve shqiptare në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti.

-Pastaj pasuan dëbimet e shqiptarëve nga Trekëndëshi i Toplicës 1878-1881, Aneksimi serb i Kosovës, Dëbimet e shqiptarëve në kohën e Mbretërisë Jugosllave deri të vrasjet, masakrat e dëbimet masive të shqiptarëve gjatë viteve1998/1999.

-Platforma antishqiptare e pushtetarëve serbë për asgjësimin e shqiptarëve ka gjetur zbatimin e saj në vazhdimësi kohore në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Ajo ka pasur kulmet e veta herë në fushën ekonomike, herë në atë politike, herë në atë fetare apo në atë ushtarake.

-Kështu ndaj popullatës dhe vendbanimeve shqiptare, policia, ushtria dhe paramilitarët serbë në masë të gjerë, duke filluar në mars të vitit 1998 e deri në pranverë të vitit 1999 ndërmorën ofensiva për vrasjen e popullatës shqiptare dhe rrënimin e vendbanimeve të tyre.

Kjo shtypje kulmin e arriti në muajt mars – qershor 1999. Në këtë fundshekulli, kur bota përgatitet të hyjë në mijëvjeçarin e tretë me arritje njerëzore e qytetare, shqiptarët e Kosovës pësuan një tragjedi të vërtetë: ata u ndodhën përpara mizorive dhe reprezaljeve makabre si dhe përpara një spastrimi të egër etnik të ushtruar nga ana e forcave policore e ushtarake si asnjëherë tjetër më parë.

-Millosheviqi dhe bashkëpunëtorët e tij, në zbatimin e planeve të përgatitura në fshehtësi, mobilizuan kundër shqiptarëve kosovarë armatën 45-mijëshe të policëve, ushtarakëve dhe paraushtarakëve serbë. Repartet e saj me uniforma e pa uniforma nxirrnin dhunshëm brenda disa minutave shqiptarët nga banesat dhe shtëpitë e tyre, disa nga të cilave ua vinin flakën, ndërsa njerëzit i nisnin drejt kufirit shqiptar e maqedonas.

-Millosheviqi kishte vendosur që t’i qëronte hesapet përgjithmonë me shqiptarët e Kosovës, ta spastronte etnikisht tokën sa më parë nga këta banorë autoktonë. Kështu planifikonte që 610 vjetorin e Betejës së Kosovës ta “festonte” në Gazimestan pa shqiptarë në Kosovë. Vala e terrorit të institucionalizuar shtetëror serb, e vrasjeve, e masakrimeve, e ekzekutimeve të shqiptarëve përfshiu mbarë Kosovën.

-Për të dëbuarit në Maqedoni vend i ferrit ishte Bllaca, ku njerëzit ballafaqoheshin me vdekjen. Të moshuarit, të sëmurë, fëmijët, të lodhur e të rraskapitur, të mërdhirë e të uritur erreshin, por nuk e dinin së a dot t’i zbardhte dita.

-Bllaca ishte një katastrofë njerëzore e politikës antihumane ndaj një populli të pambrojtur. Bllaca, si e këtillë, u dënua nga opinioni demokratik e humanitar botëror.

-Deri në fillim të majit 1999, nga Kosova ishin përzënë rreth 730.000 shqiptarë. Prej tyre 605.000 u strehuan në Shqipëri, në Maqedoni, Mal të Zi, në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa 125.000 të tjerë në vende të ndryshme të Evropës, të Amerikës dhe Australisë.

Po t’u shtohen këtyre refugjatëve edhe të ikurit deri më 1999, del se shovenizmi serb shpërnguli me dhunë deri në maj afro 1.000.000 shqiptarë të Kosovës ose më shumë se ½ e popullsisë shqiptare të këtyre trojeve. Rreth 700.000 shqiptarë u shpërngulën nga banesat dhe shtëpitë e tyre dhe u detyruan të jetonin në rajonet malore të Kosovës në një situatë dramatike.

-E vërteta është se tërë një popull më 1999 ishte kthyer në kamp përqendrimi, Bllaca ishte vetëm një pjesë e atij kampi që quhet Kosovë!

-Kthimi i shpejtë i refugjatëve nga Maqedonia, nga Shqipëria dhe nga vendet perëndimore e të largëta, si SHBA, Kanada, Australia etj.. është një fakt mahnitës për botën, që tregon se sa shumë janë të lidhur shqiptarët për tokën e vet, sa shumë dashuri kanë për atdheun e tyre.

- Advertisement -
Lajmi i fundit
- Advertisement -
Related news
- Advertisement -