Kampionët e Ligës Premier, Manchester City, janë përfshirë në një periudhë tensioni rreth çështjes së “fair-play”-it financiar, dhe kjo ka krijuar një situatë të pasigurt për të ardhmen e klubit, edhe pse Pep Guardiola ka rinovuar kontratën e tij.
I pyetur për të ardhmen e tij, Kevin De Bruyne, me kontratën që skadon në fund të qershorit 2025, ka dhënë një përgjigje që ka habitur shumë tifozë.
“Sinqerisht, nuk e di. E dija se duhej të kishte disa diskutime, por pati një problem në ndeshjen me Brentfordin dhe e lashë gjithçka mënjanë,” tha De Bruyne.
“Ne kemi biseduar për këtë verë, por pastaj u lëndova, kështu që nuk isha në humor të mirë për të folur. Dua të rikthehem në fushë dhe të jem përsëri vetvetja. Dua të luaj futboll,” shtoi belgu.
Kevin De Bruyne ka qenë pjesë e Manchester Cityt që nga viti 2015, dhe gjatë kësaj periudhe ai ka fituar gjashtë tituj të Premier League, dy herë FA Cup, pesë herë Kupën e Ligës dhe dy herë Superkupën e FA.
Sezonin e kaluar, ai arriti suksesin më të madh të karrierës, duke fituar Ligën e Kampionëve për herë të parë me Cityn.