Duke filluar nga parafushta që për pushtetin zgjati thuajse 5 vite (me fjalë të rënda, fyerje, linçime, demagogji, planifikime e punë që nuk u realizuan dot) dhe fushata njëmujore e zhurmshme, me krekosje e herë-herë pa fije kuptimi, na bëri të kuptojmë se është e vështirë dhe gati e paarritshme të formohet Qeveria e re, qoftë nga Subjekti politik i parë e qoftë edhe nga Opozita e bashkuar (nëse bashkohen). Rëniet dhe ngritjet e partive politike janë produkt i gjuhës së egër e fyese në njërën anë dhe në anën tjetër vetëdijesimit politik të partive opozitare që të mos merren shumë me të kaluarën, por të flasin për programet dhe të ardhmen që e pret shtetin.
Sipas rezultateve preliminarë të KQZ-së, Partia e parë nuk i ka numrat e shumëpritur për ta formuar Qeverinë e që zhurmuan gjatë gjithë fushatës, por i duhet një koalicion me ndonjërën nga partitë opozitare që i përqeshi dhe i quajti të paaftë, të padijshëm e dështues për ta udhëhequr Qeverinë dhe Shtetin e Kosovës.
Nëse ndonjëra nga partitë opozitare do të pranoj koalicion me partinë e parë, duhet ta kuptojmë së do të jet Qeveri e brisht dhe koalicion i paqëndrueshëm, sepse avazi i partisë së pushtetit të deritanishëm do të vazhdoj me ritëm të njëjtë, me fjalime poetike (njëherë bojleri e pastaj filteri), kritika për të kaluarën (që 20 vjet e keni shkatërruar Kosovën!), sulme ndaj organeve të drejtësisë (shkon Lumezi e vjen Elezi) e gjera tjera që i kemi dëgjuar tash e sa vite, por duhet ta pranojmë së edhe opozita nuk i bëri detyrat e veta opozitare si duhet. Foltorja e Kuvendit u shndërrua në një fushëbetejë kritikash (ti je mashtrues, e ke mashtruar elektoratin, e deri aty sa bënë krahasime të papranueshme për gjuhën politike, përveç aty këtu ndonjë propozim ligj), pra opozita është dhe është dashtë të jet zëri më i fuqishëm kur shkelet Kushtetuta dhe ligjet e shtetit…
Në anën tjetër, nëse vjen deri të formimi i Qeverisë opozitare, atëherë partia e parë do të ishte pengesa serioze për ecjen para të proceseve, sepse do të fillonte loja e viteve të mëparshme, me zhurma, kundërshtime e veprime jodemokratike, të cilat do ta ndalnin çdo veprim apo vendim që do të merr Qeveria apo Kuvendi, pra do të kthehet edhe njëherë gazi lotsjellës në Kuvend, kështu që, sipas të gjitha gjasave pas një kohë të shkurtër, prapë do të kemi zgjedhje parlamentare.
Ky është vetëm një mendim i lirë, pa ndikime anësore, por i bazuar në gjendjen e deritanishme, dhe veprimet e Pozitës, Opozitës dhe rezultatet e zgjedhjeve! sidomos mosfunksionimit të faqes zyrtare online të KQZ-së, e cila le për të dyshuar mjaft! (df)