Populli është i hutuar nga propagandat politike, fjalimet e politikanëve demagog e fjalëboshe dhe fjalimet politike e denigruese nga disa ligjvënës, të cilët aty janë me votën e popullit dhe për ta mbrojtur të drejtën e tyre, dhe assesi për t’u vënë në shërbim të liderit të tyre kryeneç, i cili me apo pa arsye nuk i përgjigjet ftesës së prokurorisë për të dhënë një dëshmi (për përmbajtjen e së cilës nuk kam njohuri), por gjithsesi, para ligjit duhet dhe është dashtë të jemi të gjithë të barabartë. Një fjalë e urtë thotë: “…kapuçin e lëviz herë n’majtë e herë n’djathtë vetëm ai që e ka mizën nën te”, pra shtrohet pyetja: Nëse kryeministri nuk i beson drejtësisë, edhe pas qeverisjes së tij 5 vjeçare, atëherë si mund t’i besoj populli?!
Lojërat e tilla politike, veprimet e pa matura e skandalet tjera qeveritare po i vuan populli dita ditës, prandaj edhe mund të thuhet se po jetojmë në një shtet ku nuk funksionon e drejta ligjore, kjo më së miri e dokumenton: ngritja e çmimeve sipas dëshirave të tregtarëve (gjë që nuk e përballon xhepi i qytetarëve), shtrenjtimi i rrymës jashtë çdo norme, pasiguria kombëtare, shtimi i rasteve sociale, papunësia, ikja e të rinjve jashtë vendit e shumë raste tjera. Derisa në anën tjetër zhvillohet luftë e paparë për pushtet e kolltukë pushtetarë dhe në fund kujt t’i besoj ky popull: propagandës politike, demagogjive të politikanëve apo të drejtës ligjore?…
Zot ruaje ketë popull nga politika dhe politikanët! (df)