Monday, April 21, 2025

Intensifikohet beteja e numrave pushtet-opozitë, LDK-ja akuzon Muratin për ‘kamuflim të dështimeve’

- Advertisement -
- Advertisement -

Mesditën e së dielës, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati e nisi me një sulm drejt opozitës duke i akuzuar se, gjatë qeverisjeve të tyre, nuk ka pasur luftim të propagandës ashtu siç kreu i Financave pretendon se po ndodh tani, me Qeverinë Kurti. Akuza të tilla nuk i shpëtuan opozitës, e cila e quajti postin e Muratit si një tjetër mirazh, në përpjekje për të mbuluar dyfishimin e deficitit tregtar të vendit gjatë katër viteve të fundit.

Murati e nisi postimin e tij me mburrje ndërsa shpjegonte ngjyrat e një grafikoni i cili – sipas tij – shpërfaqte diferencën e luftimit të propagandës – importit të deklaruar, dhe importit potencial – mes kësaj qeverie dhe atyre paraprake.

Kjo, sipas Muratit, u bë “duke e llogaritur importin sa 61% e Bruto Produktit Vendor për vitet paraprake, aq sa është mesatarja e importit ndaj BPV-së për periudhën 2021-2023.”

Si përfundim, ai pretendoi se nga viti 2002, malli i kontrabanduar kap vlerën e 7.94 miliardë eurove. “Kur mblidhen të gjitha vitet nga 2008 e këtej, del se malli potencialisht i kontrabanduar sipas të dhënave të paraqitura në grafikon, kap vlerën e 7.94 miliardë eurove.” – tha ai.

Akuzat e Muratit u përcollën me reagime të ashpra nga opozita, me deputeten e LDK-së Hykmete Bajrami e cila ia rrezoi në tërësi bazën e ndërtimit të pretendimeve.

“Me folë profesinalisht, supozimi se importi duhet me qënë 61% e Bruto Produktit Vendor nuk ka kurrëfare baze, mandej rritja e konsumit prej importit që ministri e bënë duke krahasu vlerat absolute sepse kështu i lëverdisë po harrron se vjen si rezultat i rritjes se çmimeve gjatë katër viteve të fundit. Kjo veç luftë kundër kontrabandës nuk është.” – tha Bajrami.

Deputetja Bajrami i kujtoi gjithashtu Muratit inflacionin e paprecedentë përgjatë katër viteve. “Hekuran, në vitin 2015 nuk ka pasë inflacion (rritje të çmimeve) ka pasë deflacion (rënie të çmimeve) për -0.54%, ndërsa inflacioni (rritja mesatare e çmimeve) në vitin 2022 ka qënë 11.6%.”

Bajrami e quajti ministrin Murati si manipuluesin më të madh të Qeverisë. “Sot manipuluesi me i madh i Qeverisë paska folë për luftën kundër kontrabandës. Kush po folë, Hekurani, ministri i cili për katër vjet s’ka qënë në gjendje me e zgjedhë një drejtor kredibil të Adminstratës Tatimore të Kosovës, ATK. Ministri i cili që dy vite e gjysmë e mban jashligjshëm pa mandat në ATK drejtorin e zgjedhur nga Qeveria e PAN-it.”

Pretendimet e Muratit, sipas anëtarit të LDK-së Berat Rukiqi, janë përpjekje për t’iu shmangur thellimit të deficitit tregtar, rritjen eskponenciale të importeve, apo daljen e mbi 5 miliardë eurove.

“Hekurani në botën e dëshirave. Dyfishimin e deficitit tregtar dhe rritjen eskponenciale të importeve, apo daljen e mbi 5 miliardë eurove, jashtë ekonomisë të vendit, ministër Propaganda, po ka dëshirë, t’na e shet si sukses. Rritjen e të hyrave tatimore, në kurriz të xhepit të qytetarëve, që kanë paguar çmime me të larta, po ka dëshirë të na e shet si luftim i kontrabandës. Një nxënëa i një shkollë të mesme ekonomike, do të ishte me kreativ, në tregimin e ndonjë suksesi në ekonomi apo intepretimin e të dhënave.” – tha ai.

- Advertisement -
Lajmi i fundit
- Advertisement -
Related news
- Advertisement -