Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka pasur një thirrje për Qeverinë e Kosovës në prag të mbledhjes së përbashkët me Maqedoninë e Veriut.
Ai ka kërkuar që të mos ketë heshtje për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Jam drejtuar me një thirrje, me apel Qeverisë së Kosovës që shqetësimet e shqiptarëve të Maqedonisë t’ia komunikojnë… kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe kam apeluar për të gjitha partitë politike në Kosovë që të kenë konsideratë shqetësimet që i kanë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, mbi tentativat që bëhen për ndryshimin e Ligjit të gjuhës, ndryshimin e marrëveshjes, substancës marrëveshjes paqësore të Ohrit dhe shpresoj që ky apel të shkojë deri në vesh të institucioneve shtetërore, por edhe deri tek udhëheqësit e partive politike në Kosovë që të mos jenë indiferent, sepse përpjekjet tona historike kanë qenë të përbashkëta, në drejtim të sigurimit të lirisë, ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe në drejtim të statusit politik dhe juridik të shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë”, ka theksuar ai.
“Sepse prekët substanca, palca e marrëveshjes paqësore të Ohrit me ndryshimet që pretendohet t’i bëjnë mbi ligjin dhe përdorimin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, është hequr përkatësia etnike, gjithashtu që është pjesë, substanca e marrëveshjes paqësore të Ohrit, sepse pa përkatësinë etnike dhe deklarimin e etnisë, mund të gjinden dhjetëra arsye pse shqiptarët janë jo të përgatitur profesionalisht edhe të lihen të margjinalizohen, faktikisht po instalohet dominimi i shumicës mbi komunitetin e dytë shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe këto zhvillime janë shqetësuese për ne”, ka thënë Ahmeti. /RTK